News

AMBASADA E URDHRIT TË MALTËS NË MBËSHTETJE TË GRAVE ARTIZANE NË BURREL

AMBASADA E URDHRIT TË MALTËS NË MBËSHTETJE TË GRAVE ARTIZANE NË BURREL
13/10/2019

Prej pesë muajsh në qytetin e Burrelit po zbatohet një projekt që krijon mundësi për brezin e ri shqiptar në artizanat. Fondacioni “Mbretëresha Geraldinë”, me mbështetjen e Ambasadës së Urdhrit të Maltës dhe Bashkisë, ka krijuar një qendër për mbështetjen e grave shqiptare në artizanat.

Misioni i kësaj qendre është të ofrojë trajnime artizanale për dhjetë gra, të cilat janë evidentuar me ndihmën e autoriteteve vendore të qytetit të Burrelit se kanë nevojë për mbështetje financiare. Me bashkëpunimin e Fondacionit “Tradita Popullore” fondacioni është në gjendje të ofrojë trajnime për thurjen e qilimave shqiptare, me qëllimin final të ringjalljes së teknikave tradicionale shqiptare dhe sigurimin e mbrojtjes së modeleve dhe dizenjove rajonale duke trajnuar dhe mbështetur gratë.

Për të parë nga afër ecurinë e projektit pranë qendrës e cila ndodhet në Pallatin e Kulturës Burrel, Ambasadori Palumbo iu bashkua Kryetares së Fondacionit “Mbretëresha Geraldinë” Princesha Elia Zaharia Zogu, Princ Leka II, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, z. Blendi Klosi, së bashku me kryetarët e Bashkive Mat, Klos dhe Dibër.

Kategoria: Lajme