News

Në Shkodër kremtohet 30-Vjetori i Organizatës Shqiptare të Urdhrit të Maltës

Në Shkodër kremtohet 30-Vjetori i Organizatës Shqiptare të Urdhrit të Maltës
10/10/2025

Më 10 tetor 2025, Ambasada e Urdhrit Sovran të Maltës në Shqipëri mori pjesë në ceremoninë solemne me rastin e 30-vjetorit të Organizatës Shqiptare të Urdhrit të Maltës, e cila u zhvillua në selinë e organizatës në Shkodër.

Aktiviteti mblodhi stafin e Organizatës Shqiptare, përfaqësues të Urdhrit si edhe të ftuar ndërkombëtarë nga Mbretëria e Bashkuar, Rumania, Polonia dhe Gjermania. Ambasada u përfaqësua nga Sh.T. Ambasadori Stefano Palumbo, i shoqëruar nga Këshilltari Stiven Shala dhe Sekretari i Parë Mark Gjeka.

Pas fjalës së mirëseardhjes, Ambasadori Palumbo mbajti një fjalim, duke përcjellë përshëndetjet e Kancelarit të Madh dhe të Hospitallerit të Madh, si dhe duke theksuar angazhimin afatgjatë të Urdhrit ndaj Shqipërisë.

Ceremonia përfshiu gjithashtu ndërhyrjet e Presidentit të Organizatës Shqiptare të Urdhrit të Maltës, Atë Stefan Schwarz, dhe të Zëvëndëspresidentit, z. Matthias Heiden, themelues të Malteser Albania, të cilët reflektuan mbi tri dekada shërbimi për personat në nevojë. Me këtë rast, Atë Gazmend Tinaj, OFM, u prezantua si Presidenti i ri i Organizatës Shqiptare të Urdhrit të Maltës.

Ndër të ftuarit e nderit ishte edhe Dr. Constantin von Brandenstein-Zeppelin, President Nderi i Malteser Germany dhe Drejtor i Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë të Malteser Hilfsdienst, prania e të cilit i dha një domethënie të veçantë kremtimit.

Gjatë aktivitetit u zhvillua edhe ceremonia e dekorimeve për të nderuar ata që kanë kontribuar ndër vite në misionin e Urdhrit në Shqipëri. U dekoruan Ambasadori Palumbo, Atë Stefan Schwarz, Atë Gazmend Tinaj, ish-vullnetarë, anëtarë aktualë të stafit si dhe disa të ftuar ndërkombëtarë nga Polonia, Rumania dhe Mbretëria e Bashkuar. Dekoratat përfshinin Medaljen e Nënë Terezës, Medaljen e Martirëve Shqiptarë dhe një Medalje të posaçme të 30-Vjetorit, krijuar enkas për këtë përvjetor.

Ceremonia u mbyll me momente bashkëndarjeje dhe mirënjohjeje, duke riafirmuar vlerat e përbashkëta të bamirësisë, shërbimit dhe solidaritetit që kanë udhëhequr praninë e Urdhrit në Shqipëri gjatë këtyre tre dekadave.

Kategoria: Lajme