News

DITA BOTËRORE E RINISË 2016: URDHRI i MALTËS NË LINJËN E PARË ME AMBULANCA DHE MJEKË

DITA BOTËRORE E RINISË 2016: URDHRI i MALTËS NË LINJËN E PARË ME AMBULANCA DHE MJEKË
20/07/2016

Vullnetarët e Urdhrit Sovran të Maltës po mblidhen në Krakov, Poloni, për Ditën Botërore të Rinisë 2016, që fillon në më pak se një javë, nga 25 deri më 31 korrik.

Mjekë, infermierë dhe ndihmësmjekë të kualifikuar që vijnë nga Polonia, por edhe nga vende të tjera si Shqipëria, Gjermania, Hungaria, Sllovakia, Rumania, Irlanda dhe Lituania, do të marrin pjesë në këtë aktivitet, ku priten të marrin pjesë deri në 1.5 milionë të rinj katolikë nga tërë bota. Detyra e tyre kryesore do të jetë ofrimi i ndihmës së parë për pjesëmarrësit dhe në veçanti asistencë për personat me aftësi të kufizuara.

Urdhri i Maltës – nën koordinimin e Shërbimit të tij Mjekësor Polak – do të sigurojë gjithsej 32 ambulanca, 12 prej të cilave nga Polonia dhe pjesa tjetër nga Gjermania dhe Hungaria.

40 ekipe mjekësore, të përbëra nga 4 vullnetarë të trajnuar – secili i pajisur me çanta shpine mjekësore, dërrasa shpëtimi dhe mjete komunikimi – do të vendosen në Campus Misericordiae, ku Papa Françesku do të takohet me të rinjtë katolikë dhe në parkun Blonia në Krakovën qendrore, ku do të bëhet mesha e hapjes, ceremonia e mirëseardhjes për Atin e Shenjtë dhe Udha e Kryqit. Gjithashtu, do të vendoset edhe një tendë spitalore për raste urgjente.

“Për vullnetarët e Urdhrit të Maltës në Poloni, Ditët Botërore të Rinisë në Krakov përfaqësojnë angazhimin më të rëndësishëm në 25 vjet. Vullnetarët tanë janë përgatitur për këtë ngjarje për disa vite,” thotë Damien Zadeberny, Kryetar i Urdhrit Polak të Shërbimit Mjekësor të Maltës.

Kjo nuk është hera e parë që Urdhri i Maltës në Poloni merr pjesë në Ditën Botërore të Rinisë. Në vitin 1991 mori pjesë në organizimin e atij të mbajtur në Czestochowa.

Kategoria: Lajme