News

Tërmeti në Shqipëri: Urdhri i Maltës në vendngjarje për të ndihmuar

Albania Earthquake
29/11/2019

Ambasadori në Tiranë: ekipe vullnetarësh shqiptarë u mobilizuan menjëherë për të ndihmuar personat e zhvendosur

Ndërsa numri i të vdekurve pas tërmetit shkatërrues që goditi Shqipërinë të martën e kaluar vazhdon të rritet – 49 të vdekur dhe 750 të plagosur – Organizata Shqiptare e Urdhrit të Maltës është në vendngjarje për të ndihmuar qindra personat e zhvendosur (gjithsej 3,480).

“Ekipet tona ishin aktive që nga mëngjesi i hershëm i 26 nëntorit,” tha Ambasadori i Urdhrit të Maltës në Shqipëri Stefano Palumbo. “Pesëmbëdhjetë vullnetarë, mjekë, infermierë dhe operatorë të ndihmës së parë organizuan shpërndarjen e nevojave themelore dhe ofruan ndihmë psikologjike për 1200 personat e parë të zhvendosur që u mblodhën në stadiumin e Durrësit”. Në portin e qytetit, epiqendrën e tërmetit, mbi 700 banesa janë dëmtuar ose shkatërruar plotësisht.

“Vullnetarët e Urdhrit të Maltës shpërndanë ujë, ushqim dhe kuti të ndihmës së parë së bashku me batanije dhe shtretër kampi”, shtoi ambasadori Palumbo, duke shpjeguar gjithashtu se Urdhri është në kontakt të vazhdueshëm me Caritas Albania dhe me përfaqësuesit e Kishës Katolike që kishin mbërritur në vendodhje për të ofruar ndihmën e parë.

Trupat e ndihmës së Urdhrit të Maltës në Itali (CISOM) u mobilizuan gjithashtu, duke dërguar një Forcë të Reagimit të Shpejtë (QRF) për të vlerësuar dëmin. Ekipi takoi Ministrin e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Emergjencave Kombëtare të Shëndetësisë. Detyra e parë e vullnetarëve të CISOM ishte organizimi i transportit të të sëmurëve nga stadiumi, ku është ngritur kampi i përkohshëm i ndihmës së parë, drejt spitalit të Durrësit, i cili fatkeqësisht u evakua dje pas një pasgoditjeje të fortë. Sot ekipi i CISOM ndodhet në Thumanë, një qytet i vogël pranë Durrësit, dhe më pas do të shkojë në kampet e afërta të Laçit dhe Fushë Krujës.

Ambasadori i Urdhrit të Maltës në Shqipëri është në kontakt me Kryeministrinë, me drejtorin e Autoritetit Portual në Durrës dhe me nuncin apostolik. Mjeshtri i Madh i Urdhrit të Maltës, Fra ‘Giacomo Dalla Torre, i ka dërguar dje një mesazh ngushëllimi Presidentit të Republikës Ilir Meta.