Në 25-vjetorin e saj, Malteser në Shqipëri ka marrë dekoratën “Nënë Tereza” për aktivitetet e saj humanitare në ndihmë të grupeve më të disavantazhuara të shoqërisë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta. Ceremonia u zhvillua të shtunën më 7 shkurt në sallën kushtuar kardinalit Mikel Koliqit, heroit të besimit katolik në komunizëm, përballë Katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër.
Motivacioni për dhënien e çmimit, me iniciativën e Rektores së Universitetit të Shkodrës, Profesoresha Suzana Golemi, ishte: “Për punën fisnike të Organizatës në ofrimin e ndihmës humanitare për qytetarët e varfër, si dhe rigjallërimin shpirtëror dhe mbështetjen për kategoritë më të disavantazhuara të shoqërisë. Për kontributin e saj në edukimin dhe mirëqenien e fëmijëve pa kujdes prindëror, si dhe ofrimin e ndihmës mjekësore dhe ushqimore për ata që kanë nevojë. Vullnetarët e saj kanë përkrahur gjithmonë institucionet dhe popullin shqiptar gjatë krizave humanitare dhe fatkeqësive natyrore si ajo e refugjatëve të Kosovës në Shqipëri dhe përmbytjeve dhe tërmeteve në rajonin e Shkodrës”.
Pas përshëndetjeve të Kryepeshkopit të Shkodrës-Pult, Imzot Angelo Massafra, Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë dhe Nuncit të ri Apostolik në Shqipëri, Kryepeshkopit Luigi Bonazzi, Presidenti Meta falenderoi Drejtorin Ekzekutiv të Malteser në Shqipëri, Marku Maranaj, duke thënë: “Dekorata që jap sot në emër të qytetarëve shqiptarë është një akt i mirënjohjes më të thellë për kontributin dhe misionin tuaj”.
Presidenti shqiptar kujtoi misionin e gjatë të Urdhrit të Maltës në mbështetje të shtresave më të varfra të shoqërisë shqiptare dhe vlerësoi gjithashtu punën e kryer gjatë këtyre muajve të pandemisë Covid-19. Vullnetarët e Urdhrit kanë shpërndarë maska, terapi, makineri oksigjeni dhe ushqim që nga fillimi i emergjencës, duke u ofruar 400 personave një vakt të nxehtë falas çdo të dielë.
Integrimi i komunitetit rom është një tjetër prioritet i vullnetarëve të Urdhrit të Maltës, të cilët prej vitesh menaxhojnë qendra dhe staf të specializuar për të ndihmuar të rinjtë romë të gjejnë punë të denjë.
Ambasadori i Urdhrit të Maltës në Shqipëri, Stefano Palumbo, përshëndeti ceremoninë duke lexuar letrën e përgëzimit nga mbajtësi i pozicionit të Mjeshtrit të Madh. Në mesazhin e tij, Fra Marco Luzzago falënderoi vullnetarët shqiptarë të Urdhrit të Maltës për përkushtimin dhe profesionalizmin që kanë treguar gjatë këtyre viteve, gjithmonë të gatshëm për të shërbyer me një shpirt thellësisht të krishterë.